Kur Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, kërkon përgjegjësi me emër dhe mbiemër, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në gjyqësor, por për një përpjekje për të rivendosur besimin që u trondit në vitet kur LSDM dhe BDI krijuan mekanizma të drejtësisë selektive, kur institucionet ishin mjete të interesave partiake, dhe jo të qytetarëve, thuhet në një deklaratë nga Lëvizja ZNAM, në reagim ndaj deklaratave të LSDM-së dhe BDI-së.
ZNAM akuzon se kur LSDM guxon të flasë për “skenarë” dhe “marrëveshje”, ata në fakt po përpiqen të shpëtojnë nga e kaluara e tyre politike.
“Është e lehtë të hedhësh dyshime, por është e vështirë të përgjigjesh për vendimet e tyre. Ata thonë se ekziston një skenar për kthimin e Grubit dhe një lloj marrëveshjeje midis subjekteve të tjera politike. Por nëse në këtë vend dikush ka një histori skenarësh politikë, marrëveshjesh pas dyerve të mbyllura dhe përpjekjesh për kthime të kontrolluara, është pikërisht koalicioni LSDM/BDI. Le të kujtojmë: Arratisja e Nikolla Gruevskit ndodhi në një kohë kur LSDM/BDI drejtonte qeverinë.
Institucionet ishin nën juridiksionin e tyre. Sistemi ishte nën përgjegjësinë e tyre. Ishte gjatë mandatit të tyre që filluan diskutimet rreth “zgjidhjeve” të mundshme, rreth mënyrave për ta rivendosur atë, rreth formulave politike që do të mbyllnin një çështje që rëndonte mbi sistemin”, thuhet në deklaratën e ZNAM.
Nga atje thonë se gjatë qeverisjes së LSDM-BDI u shfuqizua nen 353 i Kodit Penal, nën pretekstin e harmonizimit dhe reformës, dispozita kyçe për ndjekjen penale të abuzimit me detyrën zyrtare, një ndërhyrje direkt nën kujdesin e LSDM/BDI-së, e cila relativizoi përgjegjësinë e zyrtarëve.
“Le të përgjigjen edhe pse në kallëzimin penal kundër Artan Grubit përmendet edhe ish-kryeministri dhe kryetari i atëhershëm i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski?! A është ndoshta kjo arsyeja e vërtetë për nervozizmin që po shohim”, pyet ZNAM./Telegrafi/