Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim ministren për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Prishtinë pas marrjes së detyrës.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, koordinimi në politikën e jashtme si dhe avancimi i mëtejshëm i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Spiropali e cilësoi vizitën e saj si një moment me peshë të veçantë politike dhe kombëtare.
“Ishte nder i veçantë dhe përgjegjësi e thellë që vizitën time të parë si ministre ta bëj pikërisht në Prishtinë. Një vizitë që vjen menjëherë pas vizitës së kryeministrit Rama dhe presidentit Begaj dhe krijimit të qeverisë së re. Kosova nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie dhe politike dhe deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por vijimësi e rrugëtimit të përbashkët të skalitur në sakrificë dhe qëndresë”, u shpreh Spiropali.
Ajo kujtoi momentet kyçe të historisë së Kosovës, duke theksuar se viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësinë, por edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë, ndërsa viti 2008 shënoi kthimin e aspiratës për liri në shtetësi dhe vendosjen e Kosovës në hartën e botës.
Sipas saj, viti 2026 duhet të jetë viti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit kombëtar të Kosovës dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë.
“Nuk po ndërtojmë një marrëdhënie nga e para, por po forcojmë një bosht kombëtar mes dy republikave motra, dy shteteve që ndërtojnë histori. Qeveritë tona kanë zgjedhur marrëdhënie të ndërtuar mbi realitetin. Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Spiropali shtoi se çdo njohje e re dhe çdo anëtarësim i ri i Kosovës në organizata ndërkombëtare përbën investim në sigurinë, dinjitetin dhe stabilitetin e historisë shqiptare dhe të gjithë rajonit. /Telegrafi/