Transporti publik në Prishtinë vazhdon të përballet me sfida të shumta, duke nisur një trafik i rënduar dhe kolona të gjata, mungesa e korsive të dedikuara për autobusë, kapacitete të kufizuara, ku kërkesa tejkalon kapacitetin, sidomos në orët e pikut.
E në tërë këtë mori sfidash që përballen qytetarët e Prishtinës kur është në pyetje transporti publik, kryetari Përparim Rama vitin e kaluar paralajmëroi një epokë të re.
Rama: Trami me rrymë për herë të parë në Prishtinë, epokë e re në transportin publik
Rama në një postim në Facebook, më 26 shtator 2025 përmendi tramvajin elektrik, që sipas tij, do të përshtatet me infrastrukturën aktuale dhe zvogëlon trafikun.
“Tramvaji me rrymë do të nisë lëvizjen për herë të parë në Prishtinë, duke sjellë një epokë të re të transportit publik”, kishte shkruar Rama, duke njoftuar se ky tram lëviz pa shina e pa tela.
“Përtej shinave, përtej telave. Është tramvaji që lëviz pa shina, pa tela. Rritja e kapacitetit të transportit publik për 300 persona. Përshtatet me infrastrukturën aktuale. Më pak ndotje. Zvogëlon trafikun. Siguri më e lartë. I gjelbër, i rehatshëm”, kishte thënë Rama.
Rama nënshkruan marrëveshjen me operatorët privat: Trami në Prishtinë drejt realitetit
Para paralajmërimeve për nisjen e një epoke të transportin publik, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 6 tetor 2025 kishte thënë se në qershor të vitit 2026, Trami do të jetë pjesë e transportit në kryeqytet.
Kjo pasi Rama ka nënshkruar zyrtarisht bashkëpunimin me operatorët privat të transportit të ri të Prishtinës për tramin elektrik.
“Në qershor të 2026-tës Tram do të jetë këtu! Sot filloi zyrtarisht bashkëpunimi i Kryeqytetit me operatorët privat të transportit të ri të Prishtinës (TRIP) për zbatimin e projektit të tram-in elektrik”, kishte shkruar Rama.
Ai ka thënë se vizioni po realizohet, duke e modernizuar flotën e autobusëve dhe duke zvogëluar ngarkesën e trafikut në Prishtinë.
“Ky është një tjetër hap drejt planit dhe vizionit tonë për mobilitetin në kryeqytet. Vizioni ynë po realizohet. Po e modernizojmë flotën e autobusëve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, po e ulim ngarkesën e trafikut në Prishtinë dhe po e vendosim qytetarin në qendër”, kishte shkruar Rama.
Por, çfarë tha së fundi kryetari Rama lidhur me këtë?
Më 22 shkurt 2026, kryetari i Prishtinës u deklarua lidhur me këtë çështje.
Ai tha se projekti për tramvajin elektrik nuk do të financohet nga buxheti i Kryeqytetit, por përmes angazhimit të kapitalit privat.
Në një reagim publik, Rama theksoi se projekti po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe se nuk ka nevojë për ndarje të mjeteve nga buxheti komunal.
“Sa i përket TRAM-it elektrik, nuk ka nevojë të ndahet buxhet nga Kryeqyteti. Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe do të financohet përmes angazhimit të kapitalit privat”.
“Për ata që kanë dashur me dëgju, këtë e kam shpjeguar ditën kur janë nënshkruar marrëveshjet me operatorët privatë”, është shprehur Rama. /Telegrafi/