Fermin Lopez po shijon një seri spektakolare forme dhe performancash me Barcelonën. Statistikat e tij janë pothuajse fenomenale.
11 gola dhe 12 asistime në 32 ndeshje, 22 prej të cilave si titullar. Mesfushori andaluzian është bërë një lojtar kyç për skuadrën dhe një figurë e rëndësishme për Hansi Flick.
Pjesa më e madhe e suksesit aktual të Fermín López lidhet me trajnerin që e stërviti te Linares dhe që tani drejton Albaceten, Alberto González. Koha e kaluar atje e transformoi lojtarin: e bëri më konkurrues dhe e ndihmoi të zhvillohej në të dyja drejtimet, duke punuar fuqishëm në përdorimin e të dyja këmbëve.
Një shembull i aftësive të tij është goli i tretë që shënoi kundër Levantes në minutën e 81-të, me një gjuajtje të fuqishme me të majtën nga buza e zonës.
“E pashë hapjen dhe doli të ishte një gol i mirë. Mund të gjuaj me të dyja këmbët, e praktikoj shumë dhe kur mundem, e provoj”, tha ai pas ndeshjes.
Ndërsa këmba e tij kryesore është e djathta, Fermín ka punuar shumë për të përmirësuar të majtën, një aftësi që e ka zhvilluar gjatë huazimit te Linares në sezonin 2022-23.
Ky huazim nën drejtimin e Alberto González ndryshoi rrugën e karrierës së tij, duke e rritur në çdo aspekt: personalisht, profesionalisht, fizikisht dhe mendërisht. Nga 11 golat e tij këtë sezon, gjashtë janë shënuar me të majtën dhe pesë me të djathtën, këmba e tij më e fortë.
Fermín López ka arritur të barazojë rekordin e tij më të mirë ofensiv nga sezoni 2023-24 me ekipin e parë të Barcelonës, duke shënuar 11 gola deri në këtë fazë të sezonit.
Ai ka pesë gola në La Liga, pesë në Ligën e Kampionëve (duke u bërë golashënuesi më i mirë i Barcelonës në garën kontinentale) dhe një në Superkupën e Spanjës.
Ky talent, i zhvilluar nën udhëheqjen e trajnerit të Albacetes, ka bërë që Fermín të arrijë këto statistika të shkëlqyera dhe të konsolidohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit. /Telegrafi/