Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar sot se nuk do të marrë pjesë në Grupin Punues të formuar nga Ministria e Mbrojtjes për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Sipas OVL-UÇK, ftesa e dërguar nga Ministria më 23 shkurt 2026, ku theksohet se “pjesëmarrja është e domosdoshme”, ka karakter urdhërues dhe nuk reflekton një bashkëpunim të barabartë institucional.
Organizata thekson se kategoritë e dala nga lufta nuk janë vartës të ndonjë ministrie dhe nuk mund të trajtohen me gjuhë urdhëruese për një ngjarje që lidhet me sakrificën e tyre historike.
OVL-UÇK ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë (Nr. 01/02, 20.02.2026), i cili parashikon përfaqësimin e një anëtari të vetëm të organizatave të dala nga lufta, duke e konsideruar këtë përfaqësim formal dhe të vonuar, jo real.
“Epopeja e UÇK-së, që lidhet me sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe rënien heroike në Prekaz, nuk është aktivitet protokollar administrativ, ajo është themel moral dhe historik i shtetit të Kosovës”, thekson organizata.
OVL-UÇK ka njoftuar se ka themeluar Këshillin e vet përfaqësues, i përbërë nga figura të njohura për kontributin e tyre gjatë luftës çlirimtare, dhe se do të vazhdojë organizimin e shënimit të 28-vjetorit me dinjitet dhe respekt për rëndësinë historike të ngjarjes.
“Historia e luftës sonë nuk administrohet me njoftime të vonuara, ajo nderohet me respekt dhe përfaqësim të barabartë,” përfundon njoftimi i OVL-UÇK.