Joan Laporta ka folur hapur për rrethanat e largimit të Lionel Messi nga Barcelona në vitin 2021, duke këmbëngulur se klubi nuk mund të pranonte një marrëveshje që do të dëmtonte të ardhmen afatgjatë.
Në një intervistë për “Catalunya Radio”, presidenti i katalunasve shpjegoi arsyet financiare dhe institucionale pas vendimit, duke e përshkruar atë si një nga momentet më të trishta të mandatit të tij.
“Ne nuk donim të nënshkruanim marrëveshjen me CVC Capital Partners vetëm për ta regjistruar atë, sepse e konsideronim të dëmshme për klubin. Barça është mbi lojtarët, trajnerët apo presidentët dhe nuk mund ta bënim këtë”.
“Kjo është ajo që më ka trishtuar më shumë si president. Janë momente zhgënjyese, si kur u larguan Ronald Koeman, Xavi Hernandez, Gerard Pique dhe të tjerë”.
“Këto janë momente të vështira, por nuk mund ta përballonim. Shumat në kontratën e tij, nëse do ta rinovonim, ishin të papërballueshme dhe për këtë arsye ai nuk mund të vazhdonte”.
Laporta foli edhe për raportin personal me Messin, duke pranuar lidhjen e fortë që kishin nga mandati i tij i parë.
“I njihja Messin dhe lojtarët e tjerë nga periudha ime e parë dhe krijon dashuri e vlerësim për ta. Jemi shumë mirënjohës ndaj këtyre lojtarëve, por edhe Barça ka bërë shumë për ta. Nuk ishte e mundur dhe Leo nuk mund të vazhdonte”.
Ai pranoi se marrëdhënia është dëmtuar, duke përmendur një moment të sikletshëm në ceremoninë e Topit të Artë kur Messi thuhet se shmangu përshëndetjen.
“Marrëdhënia me Messin nuk është si më parë… Që atëherë ka pasur një afrim dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë në të ardhmen. Marrëdhënia është dëmtuar, por ai është një legjendë e Barcelonës”./Telegrafi