Tirana po konsolidon pozicionin e saj si një nga nyjet ajrore më dinamike në Evropë dhe rajon, me rritje rekord të pasagjerëve, zgjerim të destinacioneve dhe investime të reja në lidhjet ajrore ndërkontinental.
Të dhënat e fundit të prezantuara në Panairin e Turizmit në Tiranë konfirmojnë se ky aeroport tashmë është shndërruar në një pikë kyçe jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin, përfshirë edhe udhëtarët nga Kosova.
TIA ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në vitet e fundit, duke reflektuar zhvillimin e turizmit dhe rritjen e kërkesës për udhëtime ajrore.
“2020-24 ka qenë viti kur ne kemi qenë aeroporti me rritje më të shpejtë në Evropë, pra kapëm 10.7 milionë pasagjerë. Viti 2025 na rikonfirmoi si liderë në Ballkanin Perëndimor, duke arritur një shifër prej 11.6 milionë pasagjerë.” deklaroi drejtoresha e zhvillimit të aviacionit dhe marketingut, Manjola Kaso.
Një tjetër indikator i rëndësishëm është profili ndërkombëtar i udhëtarëve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, rreth 6.2 milionë pasagjerë që kaluan nga aeroporti ishin shtetas të huaj, duke dëshmuar se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregjet globale të turizmit.
Roli rajonal i aeroportit po konfirmohet edhe nga interesimi i udhëtarëve nga Kosova.
Drejtuesja e marketingut theksoi se vetëm nga Kosova në vitin 2020-25 ka pasur rreth 306 mijë pasagjerë, të cilët kanë përzgjedhur Tiranën për udhëtimet e tyre më tej.
Ky trend lidhet drejtpërdrejt me numrin e madh të linjave ajrore, frekuencat e larta të fluturimeve dhe çmimet konkurruese, duke e bërë aeroportin një alternativë të preferuar për udhëtarët.
Me mbi 120 destinacione të lidhura drejtpërdrejt dhe përmes hub-eve kryesore evropiane si Frankfurti, Mynihu, Vjena, Roma dhe Stambolli, aeroporti po shndërrohet në një pikë strategjike lidhëse për udhëtime globale.
12 destinacione të reja dhe fluturimi historik ndërkontinental
Viti aktual shënon një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të TIA, me konfirmimin e 12 destinacioneve të reja, përfshirë qytete si Helsinki, Alghero dhe Goteborgu.
Megjithatë, zhvillimi më i rëndësishëm konsiderohet nisja e fluturimit të parë direkt ndërkontinental drejt Kanadasë, pikërisht në Toronto që do të operohet nga Air Transat.
Ky hap e vendos Tiranën në një nivel të ri zhvillimi, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili synon të forcojë më tej rolin e tij si një platformë rajonale për udhëtime ndërkombëtare.