Barcelona ka përfituar nga hapi fals i Real Madridit një ditë më parë dhe, në javën e 25-të të kampionatit, ka marrë kryesimin me 61 pikë, një më shumë se rivali i përjetshëm.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e nisi vrullshëm takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 4-t.
Marc Bernal shfrytëzoi një pasim të Eric Garcias brenda zonës, shmangu kundërshtarin dhe goditi saktë për 1-0.
Barcelona vazhdoi të dominojë, me raste të njëpasnjëshme nga Robert Lewandowski dhe Lamine Yamal, ndërsa në minutën e 32-të erdhi goli i dytë.
Frenkie de Jong depërtoi bukur në zonë dhe finalizoi saktë për 2-0, duke lënë të shtangur portierin mysafir.
Në pjesën e dytë, vendasit menaxhuan ritmin e lojës, ndërsa rasti më i bukur erdhi në minutën e 81-të.
Fermín López mori topin në hyrje të zonës dhe lëshoi një goditje të fuqishme që u përplas në shtyllën e djathtë dhe përfundoi në rrjetë për 3-0 – një gol spektakolar që vulosi fatin e ndeshjes.
Barcelona pati edhe raste të tjera me Raphinha dhe Lewandowskin, ndërsa Levante u shfaq sporadikisht në sulm, pa arritur të rrezikojë seriozisht.
Me këtë fitore, katalanasit ngjiten në vendin e parë me 61 pikë, duke përfituar maksimalisht nga gabimi i Real Madridit dhe duke e ndezur edhe më shumë garën për titull në javët vendimtare të sezonit. /Telegrafi/