Douglas Luiz më në fund është rikthyer të luajë rregullisht në elitën e futbollit gjatë huazimit të tij te Aston Villa. Por sa do t’i kushtojë klubit anglez transferimi i përhershëm i brazilianit nga Juventusi?
Ka qenë një periudhë e çuditshme për Douglas Luiz. Mesfushori brazilian shkëlqeu në fund të aventurës së tij të parë me Aston Villën (2019–2024), veçanërisht në sezonin 2023/24, çka i siguroi një transferim të madh te Juventusi për rreth 50 milionë euro.
Megjithatë, pavarësisht pritshmërive të larta, ai nuk arriti të përshtatej në Serie A. Në sezonin e tij të parë në Itali regjistroi vetëm 19 paraqitje në kampionat, prej të cilave vetëm tri si titullar, duke mbetur jashtë planeve kryesore të “Zonjës së Vjetër”.
Gjatë verës së kaluar, Juventusi vendosi ta huazojë te Nottingham Forest me një obligim të kushtëzuar blerjeje. Por për shkak të lëndimeve, ai pati vetëm tetë paraqitje në gjysmën e parë të sezonit 2025/26 dhe huazimi u ndërpre në janar.
Kjo hapi rrugën për rikthimin e tij te Aston Villa – këtë herë në formë huazimi me opsion blerjeje.
Që nga kthimi në “Villa Park”, Douglas Luiz ka startuar në katër ndeshje radhazi dhe po duket gjithnjë e më i integruar në ambientin e njohur.
Nëse Aston Villa aktivizon opsionin e blerjes, Juventusi do të përfitojë 25 milionë euro, shumë që do të paguhet në tre vite financiare. Përveç kësaj, bardhezinjtë mund të arkëtojnë edhe deri në 3.5 milionë euro shtesë në formë bonusesh, siç konfirmoi klubi në janar.
Pra, në total, marrëveshja mund të arrijë deri në 28.5 milionë euro, në varësi të objektivave të realizuara. /Telegrafi/