Në fushatën zgjedhore për presidencën e Barcelonës, po përdoret hapur si “kartë elektorale” emri i Harry Kane.
Kandidati Xavier Vilajoana ka promovuar publikisht idenë e transferimit të sulmuesit anglez, duke pretenduar madje se ka pasur kontakte dhe duke publikuar një imazh të tij me fanellën e Barçës.
53-vjeçari synon të sfidojë Joan Laporta në zgjedhjet e 15 marsit, duke premtuar rikthimin e klubit te “rrënjët” dhe vlerat tradicionale, ndërsa emri i Kane është përdorur si simbol i ambicies së tij.
Megjithatë, vetë sulmuesi i Bayern Munich u shpreh i befasuar. Pas fitores 3-2 ndaj Eintracht Frankfurt, ai deklaroi se nuk ka dëgjuar për këtë gjë, por e merr si kompliment interesimin e Barcelonës.
“Nuk kam dëgjuar asgjë për këtë. Babai dhe vëllai im kujdesen për këto gjëra, por nuk më kanë thënë asgjë”.
“Do ta marr si kompliment, por jam shumë i lumtur këtu te Bayern. Fokusi im është te ky sezon dhe këtu në Munich”, deklaroi sulmuesi anglez.
Edhe drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, reagoi me ironi ndaj zhurmës nga Kataluni.
“Këto ditë, betejat politike dhe presidencat shoqërohen me premtime të mëdha. Dhe nëse nuk ke shumë shanse në zgjedhje, atëherë thua diçka të madhe. Duket se kjo ka ndodhur”, u shpreh ai, duke e minimizuar seriozitetin e pretendimeve. /Telegrafi/