Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka ndërmarr sot një aksion para Presidencës së Kosovës, përmes së cilës kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në Bordin e Paqes.
Në reagimin e tyre thonë se lëvizja e presidentes Vjosa Osmani që ta fusë Kosovën në këtë bord “e legjitimon gjenocidin në Gazë” dhe paraqet precedent të rrezikshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës.
Lexoni të plotë postimin:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka futur Kosovën në “Bordin e Paqes” së Donald Trump, i mandatuar për ta administruar territorin e Gazës. I themeluar si një trupë ndërshtetërore që për kryetar, anëtar të përhershëm dhe me të drejta ekskluzive ka Donald Trump si individ “Bordi i Paqes” synon ta menaxhojë Gazën nëpërmjet vazhdimit të nënshtrimit, uzurpimit dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore e njerëzore.
Nën pretekstin e “luftës ndaj terrorizmit”, ky projekt pritet të shërbejë si garantuese e kolonializmit të mëtejshëm të popullit palestinez, veç se tash me apetite më të gjera kapitaliste. Përveç se të qenurit një ndërmarrje tjetër uzurpatore, Bordi i Paqes shënon një kthesë tjetër politike, duke e bërë kështu rendin ndërkombëtar ndërmarrje personale që nënshtron shtete për grumbullim individual të kapitalit.
E ftuar nga Trump, Vjosa Osmani e ka zotuar pjesëmarrjen e Kosovës. Sipas planeve të këtij Bordi, shtetet anëtare do të dërgojnë trupa ushtarake për administrimin e zonave të Gazës si dhe, në rast të synimit për t’u bërë anëtare të përhershme, duhet të paguajnë mbi 1 miliardë dollarë për anëtarësi. Lëvizja e presidentes Osmani shënon një rreshtim i cili përveç se e legjitimon gjenocidin dhe e bën Kosovën bashkëfajtore në kolonializimin e mëtejshëm të popullit palestinez, paraqet precedent të rrezikshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës.
FSK-ja, e formuar për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, do të dërgohet për të mbajtur një rend gjenocidal, e në këtë mision do të rrezikohen dhe të vriten në fushëbetejë me ata/o që luftojnë për lirinë e tyre.
Ne e vërejmë që rendi botëror është duke iu nënshtruar çdo herë e më egërsisht forcave fashisto-kapitaliste dhe që organizimi ndërkombëtar e fati i shteteve të vogla është duke u disiplinuar nëpërmjet kërcënimit të përdorimit të forcës materiale prej shteteve të mëdha.
Po ashtu, e kuptojmë që Kosova është në pozicion të cenueshëm në këtë rikonfigurim global dhe negocion vazhdimisht me sigurinë e vet kombëtare, duke qenë se rreziku nga shteti fashist i Serbisë mbetet ende real. Mirëpo, siguria jonë nuk mund të tregtohet me okupimin e një populli tjetër. Kosova nuk mund ta legjitimojë bashkëfajësinë e saj në këtë ndërmarrje duke u thirrur në aleanca strategjike ndërkombëtare.
Nuk ka aleancë që e shpëlanë gjakun e vuajtjen e popullit palestinez. Paçka se ky pozicionim krye në vete i Osmanit nuk është thjesht kalkulim për interesa kombëtarë. Ky është manovrim populist i cili e operacionalizon pro-amerikanizmin si kartë politike që garanton mandat.
Ne si qytetare e qytetarë të kësaj republike, kumtojmë që ju nuk keni mandat prej nesh të shkoni të pushtoni shtete tjera, dhe kërkojmë që kjo marrëveshje të mos ratifikohet në Kuvend. Shteti i Kosovës nuk mund të rreshtohet krah një pedofili i cili tash dëshiron edhe hise në territorin palestinez. Ne qëndrojmë për çlirimin e çdo populli dhe të tokave të tyre. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe rezistencën e përpjekjet e tyre për çlirim, sot e përgjithmonë.
Rrnoftë Palestina e lirë!”. /Telegrafi/