Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka publikuar zyrtarisht këngën e saj më të re “Çike çike”, e cila vjen si projekti i dytë nga albumi i ardhshëm “Dirty Blonde”.
Kënga ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut, sidomos të audiencës shqiptare, pasi përfshin vargje në shqip ku artistja këndon: “Çike çike, luje belin çike, ti je një bombë, bombë atomike”.
Artistja njoftoi se kënga tashmë është e disponueshme në të gjitha platformat muzikore dhe e shoqëroi publikimin me një mesazh personal në rrjetet sociale, ku foli për lidhjen e saj me kulturën shqiptare dhe ndikimin që ajo ka pasur gjatë rritjes së saj në SHBA.
“Jam shumë krenare që jam shqiptare. Duke u rritur, ndonjëherë dukej sikur qëllimi ishte të përshtatesha me modelin ‘all American’. Por ndërsa jam rritur, kam kuptuar se gjërat që më bënin të ndihesha ndryshe janë në fakt superfuqia ime. Kur dëgjova linjën e basit që bëri DJ Snake, më pëlqeu menjëherë. Fillova të improvizoja dhe papritur më erdhi në mendje një shprehje nga fëmijëria ime: ‘Çike Çike’. Është zhargon për mënyrën si thoshim ‘hej vajzë, hej’. Sapo e thashë mbi beat, u ndje tamam si duhet. Ky album flet për të qenë vetvetja pa kërkuar falje, dhe përfshirja e pak kulture nga rrënjët e mia në këtë projekt më është dukur gjëja e duhur për t’u bërë. Mezi pres ta eksploroj edhe më shumë këtë në të ardhmen dhe, më e rëndësishmja, shpresoj t’u tregoj të gjithë vajzave dhe djemve shqiptarë në botë se mund të arrijnë gjithçka që vendosin në mendje. Me dashuri, Bebe”, ka shkruar ajo.
“Çike çike” është publikimi i dytë nga albumi, pas këngës “I Like You Better Than Me”, ndërsa projekti i plotë pritet të përmbajë gjithsej 13 këngë, të cilat fansat po i presin me shumë interes. /Telegrafi/