Ish-Princi Andrew dukej i tmerruar teksa doli nga burgu të enjten në mbrëmje pas arrestimit të tij.
Andrew — i cili mbushi 66 vjeç të enjten — u fotografua i tronditur ndërsa përpiqej të fshihej në ulësen e pasme të një veture që po dilte nga Stacioni i Policisë Aylsham në Mbretërinë e Bashkuar.
Një shofer mashkull dhe një burrë i paidentifikuar e shoqëronin atë.
Raportohet se Andrew u arrestua nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike.
Ai u akuzua për ndarjen e dokumenteve konfidenciale tregtare me pedofilin e dënuar të ndjerë Jeffrey Epstein.
Nëse dënohet, ish-Duka i Jorkut mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Mbreti Charles ndau “shqetësimin e tij më të thellë” në lidhje me akuzat kundër vëllait të tij më të vogël.
“Ajo që vijon tani është procesi i plotë, i drejtë dhe i duhur me anë të të cilit kjo çështje hetohet në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet përkatëse”, deklaroi monarku 77-vjeçar në një deklaratë.
“Në këtë, siç e kam thënë edhe më parë, ata kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe me gjithë zemër. Më lejoni të them qartë: ligji duhet të ndjekë rrugën e vet”, shtoi ai.
Ndryshe, Andrew shërbeu si Përfaqësues Special i Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë dhe Investimet Ndërkombëtare nga viti 2001 deri në vitin 2011.
Dosjet e Epstein, të cilat u publikuan së fundmi, pretendonin se ai i dërgoi të dënuarit të ndjerë raporte në lidhje me udhëtimet e vitit 2010 në Vietnam dhe Singapor.
Sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare, të dërguarit e tregtisë duhet t’i mbajnë konfidenciale detajet e udhëtimit, edhe kur dalin në pension nga rolet e tyre.
Për më tepër, autoritetet po hetojnë akuzat se Epstein trafikoi një grua në Mbretërinë e Bashkuar që Andrew të kishte marrëdhënie seksuale me të. /Telegrafi/