Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka komentuar përmes një postimi në Facebook situatën e buxhetit të Kryeqytetit dhe rolin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, “LDK-ja, e cila shpesh e quan veten parti e ekonomistëve, në këtë rast nuk po e lexon saktë buxhetin e shtetit, madje as Komuna e Prishtinës nuk po e bën këtë siç duhet”.
Salihu ka dhënë një shembull konkret: “Qeveria i ka ndarë Prishtinës 17 milionë euro nga granti për kryeqytetin. Megjithatë, sipas ligjit, Prishtina përfiton 6% të grantit të përgjithshëm. Duke qenë se granti i përgjithshëm për këtë vit është rreth 330 milionë euro, atëherë 6% e kësaj shume arrin në 19.8 milionë euro”.
Ai ka shtuar se problemi nuk është politik, por teknik: “Në këtë rast, problemi nuk është interpretimi politik, por një llogaritje e thjeshtë dhe e saktë ligjore e matematikore të cilën qeveria nuk e ka bërë e LDK-ja nuk e ka vërejtur”.
Bekim Salihu thekson se kuptimi i saktë i përqindjeve dhe ndarjeve të buxhetit është thelbësor për funksionimin korrekt të komunave dhe për transparencën financiare. /Telegrafi/