Debati i madh i futbollit modern për lojtarin më të mirë të shekullit vazhdon të prodhojë kapituj të rinj. Messi apo Ronaldo?
Një nga zërat e fundit që ka dhënë mendimin e tij është ylli i Manchester United, Amad Diallo.
Edhe pse ka ndarë dhomën e zhveshjes me Ronaldon gjatë periudhës së dytë të portugezit në “Old Trafford”, Diallo nuk e përmendi atë si idhullin e tij kryesor.
Messi dhe Rooney, zgjedhjet e Diallos
Amad dhe Ronaldo nuk arritën të luanin asnjë ndeshje zyrtare së bashku, për shkak të huazimit të Diallos te Rangers dhe më pas largimit të hershëm të Ronaldos nga klubi. Megjithatë, ata ndanë disa seanca stërvitore para ndërprerjes së kontratës së yllit portugez.
Në një episod të fundit të “Inside Carrington”, në kanalin zyrtar të klubit, Diallo u pyet për idhujt e tij në futboll. Përgjigjja e tij ishte e qartë: “Në jetën time, idhulli im ka qenë gjithmonë Messi. Gjithmonë them Messi. Është lojtari nga i cili përpiqem të mësoj”.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, i cili këtë sezon ka regjistruar 20 paraqitje në Ligën Premier me dy gola dhe dy asistime, përmendi gjithashtu Wayne Rooney si legjendën e United me të cilin do të kishte dashur të luante: “Te United, lojtari që më pëlqente më shumë ishte Rooney. Kur më pyesin me cilin lojtar nga historia e klubit do të doja të luaja, them Rooney, sepse është lojtari që e dua shumë”.
Admirim pa polemika
Zgjedhja e Diallos nuk nënkupton mungesë respekti ndaj Ronaldos, aktualisht kapiten i Al Nassr. Përkundrazi, bëhet fjalë për preferenca personale dhe frymëzime futbollistike.
Edhe vetë Rooney ka sqaruar më parë se zgjedhja e Messit si më i miri nuk do të thotë se ai ka diçka kundër ish-shokut të tij të skuadrës. Në një intervistë në emisionin e Rio Ferdinand, ai u shpreh: “Njerëzit mendojnë se e urrej Cristianon. E dua. Është një gjeni absolut dhe ajo që po bën është e pabesueshme. Vetëm sepse kam thënë se mendoj që Messi është më i mirë, nuk do të thotë se nuk më pëlqen Ronaldo”.
Ndërkohë, Manchester United po përgatitet për përballjen e radhës në kampionat ndaj Everton, që do të zhvillohet më 23 shkurt në stadiumin “Hill Dickinson”. /Telegrafi/