La Stampa raporton se humbja e rëndë 5-2 ndaj Galatasaray në udhëtim në Ligën e Kampionëve ka sjellë një ndryshim të dukshëm në qëndrimin e trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti.
Trajneri italian është shfaqur thellësisht i zhgënjyer pas disfatës së së martës, ndërsa atmosfera në qendrën stërvitore ‘Continassa’ ka qenë dukshëm më e rënduar një ditë më pas.
Sipas raportimit, Spalletti u paraqit i tronditur dhe jo shumë komunikues me skuadrën gjatë rifillimit të stërvitjes.
Ndryshe nga javët e fundit, kur kishte mbrojtur dhe vlerësuar lojtarët e tij edhe pas humbjes 3-2 ndaj Inter, këtë herë trajneri ka ndryshuar qasje, duke kërkuar reflektim të thellë dhe marrje përgjegjësie nga secili futbollist për rolin e tij në ekip.
Spalletti ka theksuar se është e kotë të flitet nëse fjalët nuk shoqërohen me veprime konkrete në fushë.
Gjithashtu, ai po shqyrton mundësinë e një ndryshimi taktik në ndeshjet e ardhshme, me rikthimin e mundshëm te skema me tre mbrojtës.
Prioriteti i trajnerit mbetet rikthimi i personalitetit dhe shpirtit luftarak të skuadrës.
Juventusi do të presë Comon në Serie A të shtunën e ardhshme, përpara se të përballet sërish me Galatasaray në ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve, të mërkurën e ardhshme. /Telegrafi/