Bayern Munich ka marrë vendimin për të mos i ofruar rinovim kontrate Leon Goretzkas në përfundim të sezonit aktual, duke sinjalizuar fundin e aventurës së tij në “Allianz Arena” pas sezonit 2026/27.
Mesfushori 31-vjeçar pritet të largohet si lojtar i lirë, ndërsa agjenti i tij ka nisur tashmë të shqyrtojë opsionet për të ardhmen.
Drejtuesit bavarezë janë të vendosur të rinovojnë gradualisht boshtin e skuadrës për të garantuar sukses në afatmesëm.
Epoka e dyshes së dikurshme me Joshua Kimmich konsiderohet e mbyllur, dhe Goretzka duket pranë një kapitulli të ri në karrierë.
Gjatë afatit kalimtar së dimrit u spekulua për një largim të mundshëm për të shmangur ikjen pa dëmshpërblim, por mesfushori vendosi të qëndrojë deri në fund të kontratës.
Interesimi i Atletico Madrid nuk u konkretizua, kryesisht për shkak të kërkesave të larta financiare të lojtarit.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, Bayer Leverkusen ka dalë si një nga pretendentët kryesorë për shërbimet e tij.
Klubi nga Bundesliga synon të përfitojë nga kjo mundësi në treg për të shtuar cilësi dhe eksperiencë në repartin e mesfushës.
Qëndrimi në Gjermani mund të jetë një faktor kyç në vendimin përfundimtar të futbollistit.
Edhe klube nga Liga Premier kanë shfaqur interes, por qëndrimi në atdhe mund të rezultojë zgjedhja më e favorshme për Goretzkën.
Pavarësisht se kulmi i formës së tij mund të ketë kaluar, eksperienca në nivelet më të larta e bën atë një përforcim me vlerë për çdo skuadër.
Sezonin e kaluar ai zhvilloi 40 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar mbi 2200 minuta, 5 gola dhe 2 asistime, shifra që dëshmojnë se ai mbetet ende një element i rëndësishëm në fushë. /Telegrafi/