Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë” në Mitrovicë, pas raportimit të dy rasteve të thyerjes së lokaleve në lokacione të ndryshme të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, rastet janë raportuar në orët e mëngjesit të 19 shkurtit 2026 në Stacionin Policor Mitrovicë Jugu.
Njësitë kompetente policore kanë reaguar menjëherë dhe, pas disa orësh veprime operative dhe hetimore, kanë arritur të identifikojnë tre të dyshuar, njëri prej të cilëve i mitur.
Gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar gjësendet e vjedhura nga lokalet e thyera.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar dhe janë ndërmarrë procedurat e nevojshme hetimore.
Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tyre është iniciuar rasti penal për veprën “vjedhje e rëndë”, ndërsa të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. /Telegrafi/