Ish-komandanti ushtarak ukrainas Valeriy Zaluzhnyi, i cili tani është ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, ka folur për qëllimet e tij politike.
Një sondazh i Ipsos i publikuar muajin e kaluar tregoi se mbështetja për Zaluzhnyin në zgjedhjet e ardhshme të mundshme ishte 23% krahasuar me 20% të Zelenskyt, që do të thotë se ai është konkurrenti më i madh i presidentit ukrainas.
Zelensky më parë ka këmbëngulur se Ukraina do të mbajë zgjedhje vetëm pasi të arrihet një armëpushim, shkruan skynews.
Ndërkohë, analisti politik Volodymyr Fesenko, i cili jeton në Kiev, shpjegoi se shumë ukrainas e shohin Zaluzhnyin si një figurë të aftë për të ndryshuar sistemin.
“Njerëzit do të votojnë jo vetëm për Zaluzhnyin, por edhe kundër Zelenskyt – duke e fajësuar atë për dështimet e presidencës së tij”, tha ai.
Por Zaluzhnyi ka deklaruar se ai shmang diskutimin e politikës nga frika e nxitjes së përçarjes midis ukrainasve.
“Derisa të mbarojë lufta ose të përfundojë ligji ushtarak, unë nuk do ta diskutoj këtë dhe nuk kam bërë asgjë në lidhje me të”, tha ai.
Zaluzhnyi shtoi se një konsulent politik amerikan “mjaft i njohur” iu afrua atij pranverën e kaluar.
Një zyrtar i afërt me Zaluzhnyin, i cili foli në kushte anonimiteti, zbuloi se ai ishte Paul Manafort, i cili shërbeu si kryetar i fushatës presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2016 përpara se të dënohej në vitin 2018 për krime që përfshinin lobim të fshehtë për ish-presidentin pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviq.
“E falënderova që më kushtoi vëmendje, por i thashë se nuk kisha nevojë për shërbimet e tij”, tha Zaluzhnyi. /Telegrafi/