Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare me famë botërore, ka njoftuar se kënga e saj në gjuhën shqipe nga albumi i saj më i ri do të publikohet së shpejti.
Kënga, e titulluar “Çike, Çike”, po pritet me padurim nga audienca shqiptare dhe tashmë ka një datë lansimi: ajo do të publikohet nesër në orën 06:00 të mëngjesit me orën e Kosovës.
Artistja me famë ndërkombëtare sjell për herë të parë një këngë në gjuhën shqipe, ndërsa këngët e tjera të albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”, do të jenë në gjuhën angleze.
Publikimi i plotë i albumit nuk pritet të ndodhë edhe për disa muaj, por se projektet do t’i publikojë hap pas hapi.
Që nga momenti kur u zbulua se artistja do të sillte një këngë në shqip, publiku shqiptar është entuziazmuar tej mase, duke pasur parasysh se ajo, përveç fansave shqiptarë, gëzon edhe një audiencë të gjerë ndërkombëtare.
Deri më tani, ajo ka zbuluar vetëm disa sekuenca të shkurtra të këngës, të cilat duken mjaft premtuese.