Ukraina rimori 201 kilometra/katror territor javën e kaluar – përfitimi më i madh në front që nga mesi i vitit 2023 – duke shfrytëzuar ndoshta dobësitë në komunikimet ruse pas humbjes së aksesit të forcave të Moskës në shërbimin satelitor Starlink të Elon Muskut.
Ky përparim i shpejtë ndodhi rreth 80 km në lindje të Zaporizhzhia, një zonë ku Rusia kishte arritur fitore të qëndrueshme që nga vera e vitit 2025, shkruan newsweek.
Në fillim të këtij muaji, Starlink, në koordinim me autoritetet ukrainase, vendosi të kufizojë qasje në rrjetin e saj satelitor duke futur një sistem “whitelist” – një listë të terminaleve të verifikuara që lejohen të funksionojnë brenda kufijve të Ukrainës. Terminalet që nuk ishin të regjistruara në këtë listë u bllokuan automatikisht, duke i lënë shumë njësive ruse pa lidhje satelitore efikase.
Më parë, forcat ruse kishin përdorur në mënyrë të paautorizuar terminale Starlink të importuara jashtë vendit për komunikime të rëndësishme në front, përfshirë koordinimin e dronëve dhe transmetimin e të dhënave taktike në kohë reale – funksione që shpesh shmangnin ndërhyrjet elektronike dhe ishin jashtë mundësive të sistemit të tyre të zakonshëm të komunikimit.
Bllokimi i qasjes në satelit për forcat ruse ka shkaktuar probleme serioze në komunikim dhe koordinim operativ, duke i detyruar ata të kthehen tek sistemet e komunikimit më të vjetra ose te alternativa të dobëta që nuk arrijnë të sigurojnë të dhëna stabile apo lidhje të shpejtë. Kjo ka dobësuar aftësinë e komandës dhe kontrollit në terren dhe, sipas inteligjencës ukrainase, ka ndikuar në ngadalësimin e ofensivës ruse në disa sektorë të frontit.
Moska zyrtare ka pohuar se nuk ka pasur pranim të përdorimit të Starlink në këto mënyra dhe ka minimizuar ndikimin e ndërprerjeve, por saga e bllokimit të aksesit satelitor mbetet një faktor kyç në dinamikën e luftës në Ukrainë.
Në këtë kontekst, humbja e aksesit në shërbimin satelitor është përshkruar nga disa ekspertë si një goditje teknologjike për forcat ruse në një moment kritik të konfliktit, dhe një mundësi që Ukraina ka shfrytëzuar për të avancuar pozicionet e saj në terren. /Telegrafi/