Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski sot para gazetarëve foli për blerjen e një avioni qeveritar dhe luftimin e ekonomisë gri, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryeministri mohoi akuzat e opozitares LSDM për keqpërdorim të avionit qeveritar.
Mickoski tha se se gjatë këtyre viteve në qeveri, e ka përdorur avionin katër herë, në përputhje me dispozitat ligjore.
Mickoski paralajmëroi se do të tërhiqen nga ideja për blerje të avionit të ri qeveritar, ndonëse këtë e kanë sugjeruar ekspertët, ndërsa siç thekson, edhe opozita pajtohej se ka nevojë për avion të ri qeveritar.
Mickoski gjithashtu foli edhe për ekonominë në vend dhe luftën ndaj ekonomisë gri.
“Politika jonë është e qartë – financa publike të qëndrueshme dhe një standard jetese i mbrojtur. Ne do të vazhdojmë me disiplinë në të ardhura, me përgjegjësi në shpenzime dhe me ndjeshmëri ndaj nevojave reale të qytetarëve”, tha kryeministri Hristijan Mickoski sot në fjalimin e tij në konferencën vjetore “Formalizimi i Ekonomisë Informale: Përmes Bashkëpunimit drejt Suksesit”.
Lufta kundër ekonomisë gri, theksoi Kryeministri, nuk është një fushatë, është një proces, kontrolli i çmimeve nuk është populizëm, është mbrojtja e qytetarëve.
“Do të jemi të vendosur dhe të drejtë. Si ndaj atyre që shmangin detyrimet, ashtu edhe ndaj atyre që përpiqen të përfitojnë nga krizat sepse detyrimi ynë është i qartë – një ekonomi me rend, një treg me rregulla, një shtet me dinjitet”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ekonomia gri është të ardhura të humbura për shtetin, një mundësi e humbur për paga më të larta, spitale më të mira, shkolla moderne, pensione më të sigurta, krijon konkurrencë të padrejtë, shkatërron besimin në institucione dhe demotivon të gjithë ata që punojnë me ndershmëri.
“Qëllimi ynë është i qartë, ta bëjmë ekonominë formale më tërheqëse se atë informale, ta bëjmë më të lehtë, më fitimprurëse dhe më të sigurt punën e ligjshme”, tha Mickoski, duke theksuar se lufta kundër ekonomisë gri nuk mund të jetë vetëm inspektuese, por edhe sistemike./Telegrafi/