Në ambientet e Shërbimit të Patologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, drita e llambave të mikroskopit mbetet e ndezur gjatë gjithë orarit të punës, ndërsa ekipi i patologëve punon intensivisht për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve malinje.
Dr. Syzane Çavolli dhe Dr. Besart Muli, specialistë të patologjisë, së bashku me infermieren Fevzije Stublla analizojnë mostrat e marra tek pacientet për të identifikuar shenjat e para që mund të bëjnë diferencën mes rrezikut dhe shërimit.
Gjatë vitit 2025, ky ekip ka kryer me sukses 1,373 PAP teste, duke monitoruar shëndetin e grave dhe duke ofruar mundësi për diagnostikim të hershëm. Përveç kësaj, në kuadër të programit të skriningut për kancerin e cerviksit, janë kryer edhe 180 teste shtesë, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm në parandalimin e një prej sëmundjeve më serioze për shëndetin e grave.
PAP testi është një procedurë e thjeshtë, e shpejtë dhe e padëmshme që mund të shpëtojë jetë. Përmes analizës së qelizave të qafës së mitrës, mjekët identifikojnë qelizat jonormale para se ato të zhvillohen në kancer, duke rritur shanset për shërim të plotë.
Spitali i Mitrovicës dhe Shërbimi i Patologjisë bëjnë thirrje që të gjitha gratë të mos e neglizhojnë shëndetin e tyre dhe, pas konsultimit me mjekun gjinekolog, të planifikojnë kryerjen e PAP testit si një masë preventivë për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Shërbimi i Patologjisë kishte filluar punën në vitin 2014 dhe që atëherë ka shënuar një rritje të qëndrueshme të vëllimit të punës, duke ofruar shërbime të specializuara për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve malinje. /Telegrafi/