Miliona dosjesh të lidhura me pedofilin e ndjerë, Jeffrey Epstein tregojnë për ekzistencën e një “ndërmarrjeje kriminale globale” që ka kryer veprime të cilat përmbushin pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit.
Këtë informacion e konfirmoi një panel ekspertësh të pavarur të emëruar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Ekspertët thanë se krimet e përshkruara në dokumentet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë janë kryer në një kontekst racizmi, korrupsioni dhe mizogjinie ekstreme. Sipas tyre, këto krime tregojnë dehumanizimin e grave dhe vajzave.
“Shkalla, natyra, karakteri sistematik dhe shtrirja ndërkufitare e këtyre krimeve ndaj grave dhe vajzave janë aq serioze sa që disa prej tyre mund të arrijnë në mënyrë të arsyeshme pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratë, shkruan reuters.
Ekspertët theksuan se pretendimet e përfshira në dosje kërkojnë një hetim të pavarur, të thelluar dhe të paanshëm, si dhe nisjen e hetimeve për të kuptuar se si ka qenë e mundur që krime të tilla të kryhen për kaq gjatë.
Ligji, i miratuar nga Kongresi me mbështetje të gjerë dypartiake në nëntor, kërkon që të gjitha dosjet e lidhura me Epstein të bëhen publike.
Ekspertët e OKB-së shprehën gjithashtu shqetësim për shkelje serioze në respektimin e rregullave dhe redaktimin e dobët, që ka zbuluar informacione të ndjeshme për viktimat. Në dokumentet e publikuara deri më tani janë identifikuar më shumë se 1200 viktima.
Publikimi i dokumenteve ka zbuluar lidhjet e Epstein me shumë figura të njohura nga politika, financat, akademia dhe biznesi, si para ashtu edhe pasi ai u deklarua fajtor në vitin 2008 për akuzat për prostitucion, përfshirë ndërmjetësimin e një vajze të mitur. /Telegrafi/