Më 17 shkurt 2026, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në Qendra e Kulturës Rexhep Mitrovica në Mitrovicë u mbajt premiera e dokumentarit “Betejat e Veriut”, me regji të Bashkim Myftari.
Myftari, pjesëmarrës në disa festivale vendore, ballkanike dhe ndërkombëtare me filmat artistikë “Broken”, “Besa e Konstandinit” dhe “Pep Kola”, këtë herë sjell një rrëfim dokumentar me peshë historike dhe aktuale. Drejtori i fotografisë së filmit është Samir Kurti.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, salla ishte e mbushur dhe atmosfera e ngrohtë, me interesim të madh të publikut. Të pranishëm ishin edhe protagonistët e dokumentarit: Agim Bahtiri, Nexhmedin Spahiu, Ali Kadriu, Faruk Mujka, Betim Osmani dhe Rexhep Myftari, të cilët kontribuojnë me rrëfime dhe perspektiva autentike mbi ngjarjet e trajtuara.
Foto: Bashkim Myftari/ Regjisor
“Betejat e Veriut” trajton disa nga momentet më të rëndësishme në veriun e Kosovës – nga kullat e Kroi i Vitakut dhe rezistenca qytetare në Lagjen e Doktorëve, te rivarrosja e Isa Boletini në Boletin dhe zhvillimet rreth Ujmanit e ngjarjet e Banjskës. Dokumentari ndërthur dramën, emocionin dhe sfidat e sigurisë me realitetin e sotëm: funksionimin e plotë të institucioneve dhe operimin e bizneseve legale në veri pas konsolidimit të kontrollit shtetëror.
Filmi vë theks të veçantë te transformimi i veriut – nga zonë tensioni në hapësirë ku sot funksionojnë bankat, tregtia, investimet dhe jeta qytetare, duke e paraqitur këtë si fazën e re të shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik.
Në kuadër të Javës së Pavarësisë së Kosovës, dokumentari do të vazhdojë rrugëtimin edhe në qytete të tjera. Pas Mitrovicës, “Betejat e Veriut” do të shfaqet në Prishtinë, Prizren dhe qytete të tjera të Kosovës.
Dokumentari u realizua nga The Life Of Sound, u prodhua nga Pikë Media Studio dhe u përkrah nga DKRS Mitrovicë dhe Komuna e Mitrovicës.
“Betejat e Veriut” vjen si një dëshmi filmike e rrugëtimit nga përballja drejt stabilitetit – një rrëfim për betejat që formësuan të kaluarën dhe për të ardhmen që po ndërtohet sot.