Dion Gallapeni është huazuar te Wisla Plock nga Widzew Lodz deri në fund të sezonit 2025/2026, me opsion blerjeje.
21-vjeçari, i lindur më 22 dhjetor 2004, hapat e parë në futboll i bëri te klubi lokal Winner Prizren, përpara se të transferohej te FC Prishtina. Fillimisht ai ishte pjesë e ekipeve zinxhir, ndërsa në vitin 2023 debutoi me ekipin e parë.
Pavarësisht moshës së re, Gallapeni regjistroi 61 paraqitje me Prishtinën, duke realizuar 5 gola dhe 10 asistime. Prej tyre, 49 ndeshje, 2 gola dhe 8 asistime erdhën në elitën e futbollit kosovar. Me klubin kryeqytetas ai fitoi dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë.
Në verën e kaluar, anësori i majtë vendosi të largohej nga futbolli kosovar dhe u transferua përfundimisht te Widzew Lodz.
Gjatë këtij sezoni, ai zhvilloi 10 ndeshje dhe shënoi një gol në elitën polake, si dhe luajti dy takime në Kupën e Polonisë.
Interesant është fakti se paraqitjen e tij të parë të plotë në kampionatin polak e bëri pikërisht kundër Wisła Płock, në barazimin 1-1.
Wisla është në vendin e dytë në renditje në elitën e futbolit polak, me 33 pikë.
Në mars të vitit 2025, Gallapeni debutoi edhe me Kombëtaren e Kosovës, ku shpejt siguroi vend në formacionin bazë. Deri më tani ai numëron nëntë paraqitje me fanellën e përfaqësueses kosovare. /Telegrafi/