Në tetor të vitit 2023, ish-ylli belg Eden Hazard vendosi t’i japë fund karrierës së tij profesionale në moshën 32-vjeçare.
Pavarësisht se konsiderohej ende në një moshë konkurruese për futbollin elitar, ish-kapiteni i Belgjikës zgjodhi të “varë këpucët” për t’iu përkushtuar plotësisht familjes së tij.
Hazard vazhdon të jetojë në Madrid, qyteti i klubit të tij të fundit, Real Madridit, ku kaloi katër sezone.
Në një intervistë për The Guardian, ai shpjegoi arsyet e vendimit të tij.
“E mora këtë vendim për familjen, për fëmijët, për klimën dhe për ushqimin. Jeta ime është mjaft e thjeshtë. Jam baba i pesë fëmijëve. Aktualisht jam më shumë shofer taksie sesa futbollist, por nuk ka problem. Jeta kalon shumë shpejt, sidomos në futboll. Dje isha 19 vjeç dhe sot jam 35. Duhet ta shijosh çdo moment, jo vetëm në futboll, por në gjithçka”, ka thënë Hazard.
Sa i përket momentit më të veçantë të karrierës, Hazard nuk heziton të përmendë një turne madhor me përfaqësuesen belge.
Ai veçoi Kupën e Botës 2018 si kulmin e rrugëtimit të tij sportiv.
“Botërori i vitit 2018 ishte i pabesueshëm. Pata mundësinë të luaj me vëllain tim. Të isha kapiten i vendit tim ishte diçka e jashtëzakonshme. Ndiheshim se Belgjika ishte e pamposhtur në ato vite. Edhe pse nuk fituam, sot shumëkush thotë se ishim ekip më i mirë se Franca dhe kjo më bën krenar”.
Kujtojmë se Belgjika e mbylli Kupën e Botës 2018 në vendin e tretë, duke arritur suksesin më të madh në historinë e saj në një Kampionat Botëror, me Hazardin si lider dhe figurë kyçe të asaj gjenerate të artë. /Telegrafi/