Skuadra e Samsunsporit, kundërshtari i Shkëndijës në “play-off”-in e Ligës së Konferencës, ka emëruar legjendën e futbollit gjerman Thorsten Fink si trajner të ri. Ish-mesfushori i Bayern Munich do ta drejtojë ekipin turk në dy përballjet ndaj Shkëndijës, njofton Telegrafi.
Ky ndryshim vjen vetëm pak ditë pasi drejtuesit e klubit turk shkarkuan trajnerin tjetër gjerman, Thomas Reis, për shkak të rezultateve të dobëta në kampionat. Drejtuesit vendosën të reagojnë shpejt, duke ia besuar skuadrën një emri me përvojë të madhe si Fink, në prag të sfidave të rëndësishme evropiane.
Ndeshja e parë zhvillohet në Shkup, të enjten në ora 21:00, dhe pikërisht në këtë takim pritet që Fink të debutojë në stolin e Samsunspor. Prezantimi i tij zyrtar pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.
Gjatë karrierës si trajner, Fink ka drejtuar disa klube të njohura evropiane. Së fundmi ishte në krye të Genk-ut në Belgjikë. Karrierën e trajnerit e nisi te të rinjtë e Red Bull Salzburg, ndërsa më pas punoi me Ingolstadt, Basel, Hamburger SV, APOEL, Austria Vienna, Grasshoppers, Vissel Kobe, Riga, Al Nasr, St. Truiden dhe në fund Genk.
Si futbollist, Fink ka zhvilluar mbi 200 ndeshje me fanellën e Bayern Munich, me të cilin fitoi katër tituj kampion në Gjermani dhe një trofe të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/