Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, reagoi pas deklaratave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Mojsiloviq, i cili tentoi ta paraqesë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si një kërcënim për komunitetin serb në Kosovë.
Në një deklaratë publike, Maqedonci tha se pretendimet e gjeneralit janë të pavërteta dhe në kundërshtim me realitetin.
“Deklaratat e bëra nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Mojsiloviq, të cilat tentojnë ta paraqesin Forcën e Sigurisë së Kosovës si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë, janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me realitetin në terren”, ka shkruar Maqedonci.
Ai theksoi se FSK është një forcë profesionale, që vepron nën kontroll civil dhe sipas ligjeve të Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha ai.
Maqedonci shtoi se modernizimi i ushtrisë nuk ka karakter kërcënues.
“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, theksoi ministri.
Ministri apeloi gjithashtu kundër narrativeve që synojnë tensione dhe frikësim të komuniteteve:
“Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione”, tha Maqedonci.
Ministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ndërtimit të një mjedisi të sigurt.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje. Kosova ndërton siguri për të gjithë”, u shpreh ai. /Telegrafi/