Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për miratimin e buxhetit të vendit 2026, derisa aktualisht po zhvillohen debate rreth tij.
Opozita ka bërë të ditur se duhen ndryshime në këtë buxhet, madje ky buxhet para tyre është paraqitur i njëjti me atë të tetorit të kaluar.
Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se fillimisht u dashtë të paraqitje programi qeveritar, më pas buxheti.
“Më 31 tetor të vitit 2025, ne e patëm miratuar buxhetin për vitin 2026, por siç e dimë, legjislatura e nëntë përfundoi ashtu siç përfundoi, mirëpo tani kemi legjislaturën e dhjetë dhe nuk mund të quhet i njëjtë projekt-buxheti i këtij viti”, tha Kurti.
“Nuk do të ishte normale që ne ta sjellim buxhetin, para se ta bënim ekspozenë, andaj në këtë buxhet që kemi paraqitur tek ju kryefjala është shifra prej katër miliardë euro”.
“Risi e këtij buxheti është paga e 13-të, andaj kjo nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë. Po ashtu edhe ligji për 15 vitet e para të përvojës së punës, andaj kemi dyfishim të pagës mbi përvojën e punës”.
“Buxheti për vitin 2026 përfshinë edhe shtesat për fëmijë, për gratë lehona, për pensionistët dhe shumë e shumë rritje të tjera”, potencoi më tej ai.
Kurti shtoi më tej se ky buxhet u paraqit si një status-quo, por që ky buxhet ka një rritje në të gjithë sektorët sipas tij. /Telegrafi/