Atleti nga Peja, Gazmend Grapci, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Split Marathon në Split, duke përfunduar distancën prej 21 kilometrash me kohën mbresëlënëse 1:35:56.
Në një konkurrencë ku morën pjesë rreth 1400 garues nga vende të ndryshme, Grapci u rendit në vendin e 106-të në klasifikimin e përgjithshëm, një rezultat shumë i fortë duke pasur parasysh nivelin e lartë të garës.
Suksesi i tij bëhet edhe më i veçantë në kategorinë e moshës 65+, ku ai dominoi plotësisht, duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur fitues i padiskutueshëm.
Klubi Peja Trail Run e ka përgëzuar publikisht Gazmend Grapcin për këtë arritje, duke e cilësuar si një shembull frymëzues për komunitetin e vrapimit dhe një dëshmi se pasioni dhe përkushtimi nuk njohin moshë./Telegrafi