Struga Trim Lum ka pësuar humbjen e dytë radhazi në start të gjysmësezonit pranveror në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, duke u mposhtur në shtëpi nga Sileksi me rezultat 2-3 (1-0), në kuadër të javës së 18-të, njofton Telegrafi.
Struganët e nisën mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 22-të, kur Kompaore asistoi për Marjan Radeskin. Struga pati edhe një rast të mirë për ta dyfishuar epërsinë para pushimit, por pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, Sileksi hyri më agresiv dhe barazoi shpejt me anë të Adi Aliqit, për të cilin ky ishte goli i pestë sezonal. Struga reagoi dhe riktheu epërsinë pas gjashtë minutash me Kompaoren.
Por mysafirët morën kontrollin e lojës, me Marko Nikollovskin i cili barazoi në 2-2, ndërsa përmbysjen e madhe e vulosi portugezi Miguel Pires në minutën e 85-të për 2-3.
Kjo disfatë lë Strugën në kuotën e 41 pikëve, ndërsa Sileksi ngjitet në 35, duke ngushtuar diferencën. Në anën tjetër, lideri Vardari nuk gaboi, duke regjistruar fitore bindëse 0-3 në udhëtim ndaj Rabotniçkit, çka i jep epërsi shtesë në krye të tabelës.
Java e 18-të vazhdon nesër me dy përballje të tjera. Në ora 13:00, Makedonija Gj.P pret Shkupin, ndërsa në ora 14:00, Arsimi do të përballet me AP Breran. Java mbyllet të martën, më 17 shkurt, me duelin mes Bashkimit dhe Pelisterit, që nis në ora 14:00. /Telegrafi/