Patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ka identifikuar dhe ndëshkuar katër shoferë për tejkalim të shpejtësisë gjatë kontrolleve të realizuara në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.
Sipas policisë, B.S. (34 vjeç), me veturën Audi A4, është ndaluar duke qarkulluar me shpejtësi 103 km/h. Ndërkaq, D.L. (33 vjeç), me veturën VW Golf, është kapur me 87 km/h.
Po ashtu, B.K. (35 vjeç), me veturën Land Rover, si dhe Q.V. (37 vjeçe), me veturën Audi A4, janë ndaluar duke lëvizur me shpejtësi 83 km/h.
Ndaj të katër shoferëve është shqiptuar nga një gjobë prej 200 euro, u janë vendosur nga 2 pikë negative dhe masa mbrojtëse e heqjes së patentë shoferit për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe të intensifikuara me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, duke apeluar tek të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut.
Shkeljet në trafik mund të raportohen në numrat 192, 0290/326-250, 0290/322-406 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ndërsa të gjitha informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/