Me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali dhe Ditës së Flamurit të tyre, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim deputetin Artan Asllani, të shoqëruar nga përfaqësues të nivelit qendror e lokal dhe aktivistë të komunitetit Ashkali.
Gjatë takimit, kryetarja Haxhiu uroi qytetarët e komunitetit Ashkali për festën e tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre në shoqëri dhe në ndërtimin e shtetit.
Ajo theksoi “kontributin e komunitetit Ashkali në shoqërinë dhe shtetin tonë, si dhe angazhimin e përfaqësuesve dhe aktivistëve të tij”.
Sipas njoftimit, bashkëbiseduesit diskutuan për sfidat me të cilat përballet ky komunitet dhe për mënyrat e bashkëpunimit institucional për t’i kapërcyer ato.
Në këtë kontekst, Haxhiu theksoi se “Diversiteti dhe bashkimi nuk janë thjesht forca jonë si shoqëri, por forca e vetë Republikës”.
Duke falënderuar deputetin Asllani dhe përfaqësuesit e komunitetit për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, kryetarja e Kuvendit potencoi se, krahas përpjekjeve të ekzekutivit për të mbështetur komunitetin, edhe Kuvendi do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, veçanërisht për komunitetet joshumicë. /Telegrafi/