Superylli portugez Cristiano Ronaldo është rikthyer në skuadrën e Al-Nassr dhe mund të paraqitet në ndeshjen e së shtunës kundër Al-Fateh.
Legjenda portugeze kishte munguar në tre ndeshjet e fundit të klubit, pas pakënaqësive me Fondin e Investimeve Publike (PIF) gjatë afatit kalimtar të janarit. Megjithatë, tani duket se ai do t’i japë fund protestës së tij dhe do të rikthehet në fushën e lojës.
Dalja e fundit e Ronaldos ishte më 30 janar, kur ai ishte ndër golashënuesit së bashku me Mohamed Simakan dhe Kingsley Coman në fitoren ndaj Al-Kholood.
Që prej asaj ndeshjeje, ai mungoi në tri përballje radhazi, por skuadra e drejtuar nga Jorge Jesus ia doli pa të, duke regjistruar tri fitore pa pësuar gol.
Ish-ylli i Real Madrid dhe Manchester United raportohet se ishte i zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes së perceptuar nga PIF në Arabinë Saudite, sidomos pasi Karim Benzema u lejua të largohej nga Al-Ittihad për t’iu bashkuar Al-Hilal, skuadër që aktualisht kryeson kampionatin arab.
Ronaldo u rikthye shpejt në stërvitje dhe raportimet e fundit, përfshirë ato nga gazetari Fabrizio Romano, konfirmojnë se ai do të jetë i gatshëm për përzgjedhje në ndeshjen e radhës.
Rikthimi i 41-vjeçarit përbën një përforcim të madh për Al-Nassr, edhe pse skuadra ndodhet në një seri prej shtatë fitoresh radhazi.
Ronaldo ka realizuar 17 gola në Arabi këtë sezon, ndërsa vetëm Ivan Toney dhe Julian Quinones kanë shënuar më shumë, me 20 përkatësisht 18 gola./Telegrafi/