Paris Saint-Germain po përgatitet për një lëvizje të madhe verën e ardhshme, duke e vendosur në krye të listës së dëshirave mesfushorin e Newcastle United, Bruno Guimaraes.
Braziliani po kalon një sezon mbresëlënës me “Magpies”, duke regjistruar nëntë gola dhe shtatë asistime në 35 paraqitje në të gjitha garat. Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve evropianë, por PSG duket e vendosur të bëjë hapin konkret për ta transferuar.
Për kampionët francezë, 28-vjeçari konsiderohet profili ideal për të forcuar mesfushën me cilësi, eksperiencë dhe personalitet, duke rritur konkurrencën e brendshme dhe nivelin e përgjithshëm të skuadrës.
Megjithatë, Newcastle nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtë yllin e tyre. Sipas raportimeve, klubi anglez pret një ofertë mbi 100 milionë euro përpara se të shqyrtojë seriozisht largimin e tij. Një shifër e tillë reflekton jo vetëm rëndësinë e lojtarit në projektin e klubit, por edhe interesimin e madh që ai gëzon në treg.
Përveç PSG-së, situatën po e monitorojnë edhe Chelsea, Arsenal dhe Barcelona.
Tashmë mbetet të shihet nëse PSG do t’i përmbahet politikës së fundit për të frenuar shpenzimet në merkato, apo do të thyejë bankën për të siguruar firmën e Guimaraes, i cili ka kontratë me Newcastle deri në vitin 2028./Telegrafi