Komuna e Ferizajt ka reaguar ndaj raportimeve dhe pamjeve që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale lidhur me gjendjen e ish objektit të shkollës “Gjon Serreçi”, duke sqaruar se ky objekt nuk është në menaxhimin e saj, por në përgjegjësi të Ministrisë së Kulturës si objekt i trashëgimisë kulturore.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti tash e disa vite nuk administrohet nga Komuna, por është nën mbrojtje institucionale të nivelit qendror.
Nga Komuna e Ferizajt theksojnë se atribuimi i përgjegjësisë ndaj nivelit lokal është i pasaktë dhe se qytetarët duhet të informohen saktë për statusin juridik dhe institucional të objektit.
Komuna ka bërë të ditur se ka kërkuar vazhdimisht leje nga institucionet qendrore për të ndërhyrë në këtë hapësirë, me qëllim rregullimin e saj dhe eliminimin e çdo rreziku të mundshëm për qytetarët dhe ambientin përreth. Megjithatë, deri më tani këto kërkesa nuk janë miratuar.
Nga autoritetet komunale thuhet se komunikimi me institucionet përgjegjëse qendrore po vazhdon, me synimin që të lejohet ndërhyrja në ish objektin e shkollës “Gjon Serreçi” dhe të ndërmerren masa për rehabilitimin dhe sigurinë e tij. /Telegrafi/