Mjeku dhe nutricionisti sportiv, Agron Rexhepi, gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka folur për rëndësinë e konsumimit të saktë të ujit, duke theksuar se rekomandimet e përgjithshme si “6-7 gota” apo “8-10 gota në ditë” nuk janë gjithmonë të sakta për secilin individ.
Sipas tij, këto udhëzime janë shumë të përgjithshme dhe nuk marrin parasysh peshën trupore apo nivelin e aktivitetit fizik të një personi.
“Disa thonë 6-7 gota, disa thonë 8-10 gota. Mirëpo asnjëra prej këtyre nuk e ka atë saktësinë, sepse 6-8 gota nuk janë njëjtë të mjaftueshme për një person 50 kilogramësh, sikur për një person tjetër 100 kilogramësh apo më shumë”, u shpreh ai.
Rexhepi theksoi se një tregues shumë më i saktë për hidratimin ditor është llogaritja sipas peshës trupore.
Sipas tij, rekomandohet që të konsumohen rreth 30 mililitra ujë për çdo kilogram të peshës trupore brenda ditës.
“Për shembull, nëse një person peshon 80 kilogramë, atij i nevojiten minimumi 2.400 mililitra ujë në ditë, dhe kjo vlen nëse gjatë gjithë ditës qëndron ulur dhe nuk ka asnjë aktivitet fizik. Nëse bën aktivitet fizik, atëherë kjo sasi duhet të rritet edhe për 8-10 për qind”, sqaroi ai.
Ai shtoi se hidratimi i duhur është thelbësor jo vetëm për performancën fizike, por edhe për funksionimin optimal të organizmit, përqendrimin dhe shëndetin e përgjithshëm.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com