Ish-legjenda e Anglisë dhe Arsenalit, David Seaman, ka kritikuar festimet moderne të portierëve, duke veçuar Gianluigi Donnarumma për ato që ai i konsideron reagime të ekzagjeruara pas pritjeve rutinë.
Duke folur në podcastin Beast Mode On me Adebayo Akinfenëa, ish-portieri i Arsenalit dhe Anglisë u shpreh se nuk është adhurues i festimeve të çdo pritjeje, edhe kur ndërhyrja nuk e justifikon një reagim të tillë.
“Janë ata që festojnë vërtet çdo goditje. Donnarumma, që është një nga të preferuarit e mi për momentin, po bënte festime të mëdha pas disa pritjeve gjysmë të mira”.
“Kur e bëjnë këtë, unë them: ‘Hajde, je më i mirë se kaq’”, ka thënë Seaman.
Donnarumma nënshkroi me Manchester Cityn gjatë verës, pasi mbeti jashtë planeve të Paris Saint-Germain, me gjigantët e Ligue 1 që transferuan Lucas Chevalier për ta zëvendësuar.
“Kur shoh portierë që sapo kanë firmosur për një klub dhe reagojnë në atë mënyrë pas një pritjeje që nuk është as shumë e mirë, mendoj: ‘Çfarë po bën? Feston kur ka vërtet rëndësi.’ Kjo më bezdis shumë”, shtoi ai.
Seaman foli gjithashtu për evolucionin e rolit të portierit dhe dha mendimin e tij për aktualin David Raya, i cili po luan një rol kyç teksa Arsenali synon suksesin në Ligën Premier.
Ish-numri 1 i Anglisë sugjeroi se, ndonëse portierët modernë janë më të përfshirë në lojë me topin në këmbë, bazat e rolit – pozicionimi, vendimmarrja dhe qetësia, mbeten po aq të rëndësishme./Telegrafi/