Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kombeve në Bruksel, përzgjedhësi i Republikës së Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka komentuar grupin B3, ku përveç skuadrës së tij bëjnë pjesë edhe Kosova, Austria dhe Izraeli.
Përzgjedhësi irlandez e ka cilësuar grupin si shumë të fortë dhe sfidues për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse, duke veçuar në mënyrë të posaçme formën e fundit të Kosovës.
“Është grup interesant. Do të jetë vështirë për ne, kemi kundërshtarë të fortë. Dhe madje Kosova, që ishte me renditjen më të ulët në grupin tonë, ka pasur me të vërtetë ecuri impresive nga 15 ndeshjet e fundit, me dy humbje, dy barazime dhe 11 fitore”.
“Kështu që, me të vërtetë është ecuri impresive”, ka deklaruar Hallgrimson të enjten, menjëherë pas shortit.
Fjalët e përzgjedhësit irlandez konfirmojnë se Kosova nuk shihet më si një kundërshtar i lehtë në skenën ndërkombëtare.
Pavarësisht se renditet më poshtë në FIFA krahasuar me Austrinë dhe Irlandën, forma e fundit e “Dardanëve” ka tërhequr vëmendjen e kundërshtarëve.
Bazuar në deklaratat e Hallgrimsonit, Kosova do të hyjë në këtë cikël me respektin e fituar përmes rezultateve të fundit./Telegrafi/