Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, kritikoi situatën ekonomike në vend dhe zbuloi sesa merr pagë, për të cilën tha se për shkak të devalvimit tani është rreth 1000 dollarë.
Duke kujtuar kohën kur punonte në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë presidencës së ish-presidentit Mohammad Khatami, Pezeshkian tha se “atëherë 6000 toman ishin ekuivalent me 6000 dollarë. Për shkak të devalvimit të monedhës, sot si president marr një pagë prej 1000 dollarësh. Kjo është një problem. Megjithatë, mbi të gjitha, duhet të japim përparësi punës parandaluese dhe qendrave shëndetësore. Për këtë fushë duhet të ndahet një buxhet serioz dhe adekuat. Në fakt, kontrata të qëndrueshme dhe të përshtatshme mund të lidhen gjithashtu me këto institucione duke përdorur të njëjtin buxhet”.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, foli gjatë një takimi në provincën Golestan, ku gjatë vizitave të tij në provincë u vlerësua progresi i sistemit të referimit në shërbimet mjekësore, shkruajnë mediat.
Pezeshkian theksoi nevojën për një ndryshim të qasjes së menaxhimit dhe përqendrimin tek shëndeti publik, duke thënë se “pPërgjegjësia për shëndetin e komunitetit qëndron mbi shpatullat tuaja. Në këtë proces, ministria duhet të mbetet në një rol mbështetës. Stafi akademik, mjekët, infermieret dhe mamitë duhet të bashkohen për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme që do të sigurojë kënaqësinë e publikut”.
Duke përmendur se strategjia kryesore e sistemit të referimit është “mjeku familjar”:
“Mjeku familjar është mënyra më e mirë për të ofruar shërbime të përgjegjshme, cilësore, të drejta dhe të verifikueshme. Megjithatë, nëse keni një zgjidhje më të mirë, ne do të sigurojmë burimet e nevojshme për përdorim në provincë. Gjithashtu, së bashku me mjekët, infermieret dhe ekspertët do të vendosni se si të kënaqet publiku”, tha Pezeshkian. /Telegrafi/