Prishtina u eliminua nga Kupa e Kosovës pas një ndeshjeje dramatike ndaj Ballkanit, e cila u vendos vetëm pas serisë së penalltive. Megjithatë, përkundër zhgënjimit të eliminimit, kryeqytetasit fituan diçka shumë të vlefshme, konfirmimin e një talenti të madh, Lorik Mehmeti.
Sulmuesi vetëm 17-vjeçar bëri debutimin e tij me fanellën e Prishtinës pikërisht në një sfidë të rëndësishme ku presioni ishte maksimal.
Vendimi i trajnerit Afrim Tovërlani për t’i besuar minuta një lojtari kaq të ri befasoi shumëkënd, por në fund rezultoi i qëlluar.
Mehmeti e shpërbleu besimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai realizoi një gol të jashtëzakonshëm, duke treguar qetësi dhe klas në zonë: pranim i topit nën presion, driblim i bukur ndaj mbrojtësit dhe një goditje e saktë që riktheu Prishtinën në lojë për rezultatin 3-3, në një moment kur skuadra ishte në disavantazh.
Pjekuria e tij u pa edhe në serinë e penalltive, ku 17-vjeçari u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke lënë përshtypjen e një lojtari me përvojë, e jo të një debutuesi.
– YouTube www.youtube.com
Mehmeti iu bashkua Prishtinës nga 2 Korriku dhe ka shkëlqyer edhe me ekipin e juniorëve, ku ka realizuar 8 gola.
Ai karakterizohet nga shpejtësia e jashtëzakonshme, guximi në duele dhe një karakter i fortë në fushë – elemente që e bëjnë një prej emrave më premtues për të ardhmen e futbollit kosovar.
Përveç Mehmetit, në këtë ndeshje minuta morën edhe të rinjtë Arjol Bllaca dhe Rin Ahmeti, duke treguar se Prishtina po vazhdon t’u japë hapësirë talenteve të rinj. Për Dren Zeqirin, nuk kemi çfarë flasim, pasi ai tashmë është i konfirmuar te Prishtina.
Edhe pse rrugëtimi në Kupën e Kosovës u mbyll, për Prishtinën kjo ndeshje mund të shënojë fillimin e një historie të re me një yll në lindje. Prishtina dhe Afrim Tovërlani, po ju besojnë lojtarëve të rinj dhe këtë e konfirmon edhe mosha mesatare e ekipit, me 24.7 vjeç. /Telegrafi/