Një projekt i ri mediatik pritet t’i shtohet së shpejti skenës televizive dhe muzikore në vend. Bëhet fjalë për emisionin “R Studio”, i cili do të nisë transmetimin në RTV Dukagjini, ndërsa Telegrafi ka qenë prezent në xhirimet e episodit të parë, ku i ftuari i parë do të jetë reperi i ri Nino.
Moderatori i emisionit, Fisnik Juniku, në një prononcim për Telegrafin ka ndarë detaje rreth konceptit dhe synimit të këtij projekti, duke treguar se ideja për të ka lindur prej kohësh.
“Jemi në përfundim të një projekti të ri me Radio Dukagjinin. Është një projekt që e kam pas ndoshta që tri vjet. Është një emision që ka të bëjë me muzikë, me hip-hop, R’n’B. Ka me qenë një platformë ku krejt artistët kanë me mujt me ardhë dhe mi promovu single-at, albumet e EP-at, krejt këto”, u shpreh ai.
Fis Juniku (Foto: Telegrafi)
Juniku theksoi se formati synon të sjellë diçka që sipas tij ka munguar deri më tani në tregun muzikor vendor.
“Unë po besoj që është diçka që nuk ka pasur deri tash dhe diçka shumë që i duhet industrisë së muzikës. Do jetë dera e hapur për të gjithë. Emisioni ka me qenë deri në fund të vitit, çdo të mërkurën në ora 22:00 mund të na dëgjoni në frekuencat e Radio Dukagjinit”, shtoi ai, duke bërë të ditur se programi do të jetë i pranishëm edhe në platforma digjitale si YouTube, TikTok, Spotify, Facebook dhe Instagram.
Një nga veçoritë kryesore të “R Studio” do të jetë performanca live e artistëve, pa përdorimin e playback-ut. “Çdo artist që vjen këtu ka me performu këndllajnë, domethënë nuk kena me pasë flejbek. Kështu që po mendoj që ‘R Studio’ ka me qenë ajo platformë ku të gjithë kanë me mujt me ardhë dhe me tregu që mujn me repu apo me këndu live”, deklaroi moderatori.
Ndërkohë, reperi i ri Nino, i cili ishte pjesë e xhirimeve të episodit të parë, u shpreh i entuziazmuar për pjesëmarrjen e tij dhe për projektin në përgjithësi. “Kam ardhë në ‘R Studio’ për një intervistë me Fisin. Do të flasim edhe për EP-në që sapo është lansuar, ‘Verseti’, që përfshin gjashtë bashkëpunime me artistë me të cilët kam pasur sukseset e mia. Është një kohë interesante për muzikë, një kohë kalimi gjeneratash dhe një frymë e re që po vjen”, tha ai.
Nino (Foto: Telegrafi)
Sipas artistit, platforma të tilla janë të rëndësishme për skenën muzikore dhe për artistët e rinj që kërkojnë hapësirë për t’u dëshmuar para publikut. Ai shtoi se pret që projekti të ketë ndikim dhe vazhdimësi, duke lënë të kuptohet se mund të pasohet edhe me sezone të tjera në të ardhmen.
Me një koncept që kombinon intervistat, performancat live dhe promovimin e projekteve muzikore, “R Studio” synon të shndërrohet në një pikëtakim të artistëve dhe publikut, duke sjellë një format të ri dedikuar skenës hip-hop dhe R’n’B në hapësirën mediatike shqiptare. /Telegrafi/