Suedia do të patrullojë rreth Islandës dhe Grenlandës me aeroplanë luftarakë Gripen si pjesë e misionit “Arctic Sentry” të NATO-s, tha ajo të enjten.
NATO tha të mërkurën se kishte nisur misionin për të forcuar praninë e saj në Arktik, pjesë e një përpjekjeje për të zbutur tensionet e rënda brenda aleancës të nxitura nga shtytja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që SHBA-të të marrë kontrollin mbi Grenlandën.
“Kjo forcon frenimin, mbron interesat tona të përbashkëta dhe kontribuon në stabilitetin në një rajon që është thelbësor për Evropën dhe bashkëpunimin transatlantik”, tha kryeministri Ulf Kristersson në një deklaratë.
“Suedia fillimisht do të kontribuojë në Arctic Sentry me aeroplanë JAS 39 Gripen në zonën përreth Islandës dhe Groenlandës”, ka thënë ai.
Siç ishte thënë më herët, ministrat e mbrojtjes së NATO-s po planifikojnë të rrisin praninë ushtarake të aleancës në Veriun e Largët.
Vendosja e “Arctic Sentry” është një përpjekje për të zbutur një përçarje të kohëve të fundit mbi planet e Donald Trump për të aneksuar Grenlandën.
NATO po rrit fokusin e saj në Arktik, ndërsa shkrirja e akullit rrit konkurrencën gjeopolitike.
Misioni i ri “Arctic Sentry” synon të koordinojë aktivitetet e aleancës, të përmirësojë mbikëqyrjen dhe të mbyllë boshllëqet e aftësive, veçanërisht nën ujë.
Ndërsa nuk shihet ndonjë kërcënim i menjëhershëm nga Rusia ose Kina, ambiciet e tyre për burimet dhe interesi në rrugë të reja detare po nxisin vigjilencën e përtërirë të NATO-s. /Telegrafi/