Dhuna policore shënoi protestat kundër vizitës së presidentit izraelit Herzog në Australi.
Në pamjet tronditëse të shpërndara në rrjete sociale që bënë bujë në mbarë botën, policia u pa duke arrestuar me dhunë një grup myslimanësh që nuk përbënin kërcënim dhe po falnin namaz.
Ndërhyrja e policisë, duke zvarritur besimtarët përgjatë rrugës, përshkallëzoi tensionet në rrugët e Sidneit.
Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë dhe videove që qarkullojnë, një grup myslimanësh që faleshin pranë zonës ku po zhvilloheshin protestat u bënë shënjestër e policisë.
Ekipet e policisë filluan ta ngrinin me forcë grupin që po lutej nga toka dhe t’i tërhiqnin zvarrë.
Kjo ndërhyrje fizike shkaktoi reagime të forta nga protestuesit përreth.
Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë deklaroi: “Pamjet e fundit që tregojnë myslimanët duke u lutur në qytet, të shtyrë dhe të larguar me forcë nga policia gjatë protestave kundër vizitës së tmerrshme të presidentit Izraelit janë tronditëse, jashtëzakonisht shqetësuese dhe plotësisht të papranueshme”.
Këshilli theksoi se policia nuk duhet “të ndërhyjë në adhurimin fetar ose të përshkallëzojë më tej një situatë tashmë të ndjeshme”.
Gjithashtu, ai shprehu se ndjente “zemërim të madh në përgjigje të këtyre imazheve dhe ia përcolli shqetësimet e tij urgjente dhe serioze drejtpërdrejt Komisionerit të Policisë së NSW dhe ministrave përkatës”.
Deklarata përmendi gjithashtu se “Qeveria e NSW dhe kryeministri Chris Minns duhet të marrin përgjegjësi për këtë sjellje dhe të sigurojnë llogaridhënie në nivelin më të lartë”.
Ndryshe, policia australiane pranoi sot se besimtarët myslimanë kishin leje për të falur namazin.
“Policia e NSW-së tani është në dijeni se një zyrtar i lartë policie kishte lejuar një grup protestuesish myslimanë të vazhdonin faljen në Sheshin e Bashkisë të hënën në mbrëmje”, tha një zëdhënës.
Komisari i Policisë, Mal Lanyon, tha se “kërkon falje për çdo ofendim të shkaktuar nga ndërhyrja në atë proces fetar”, duke theksuar se veprimi i policisë nuk kishte në shënjestër asnjë fe. /Telegrafi/