Gazetarja Federica Zille ka dalë në mbrojtje të trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti, pasi Spalletti e puthi në transmetim live gjatë një interviste pas barazimit 2-2 ndaj Lazios në Serie A.
Episodi ndodhi në fund të ndeshjes, e cila u shoqërua me polemika për vendimet e arbitrimit.
Duke komentuar situatat e diskutueshme, Spalletti theksoi se interpretimi i rregullave mbetet gjithmonë subjektiv dhe se “nuk mund të përgjithësohet që çdo kontakt është penallti”.
Gjatë intervistës për DAZN, trajneri italian u ndal te dallimi mes “kontaktit” dhe “ndikimit”, duke argumentuar se rregullat janë bërë tepër të ngurta.
“Analistët vazhdojnë të thonë ‘ka pasur kontakt’, por kjo nuk do të thotë asgjë, apo jo? A mund të të puth? Ja, ky është kontakt”, tha ai, duke i dhënë një puthje të lehtë në faqe gazetares për të ilustruar shembullin e tij.
Spalletti shtoi se VAR duhet të shërbejë për të vlerësuar kontekstin në tërësi dhe jo për të penalizuar çdo prekje minimale.
Pas reagimeve në rrjetet sociale dhe akuzave për sjellje të papërshtatshme, Zille reagoi publikisht duke minimizuar incidentin.
“Nuk kishte asnjë lloj qëllimi të keq në gjestin e Spallettit. Ai donte të ilustronte atë që po thoshte, se ka dallim mes kontaktit dhe ndikimit”, deklaroi ajo për FantacalcioTV, sipas mediave italiane.
Gazetarja shtoi se e njeh prej kohësh trajnerin dhe hodhi poshtë pretendimet se veprimi i tij kishte prapavijë gjinore.
“Shumë thonë se nuk do ta kishte bërë nëse do të ishte burrë. Jo, ndoshta do ta kishte prekur ose shtyrë lehtë për të treguar se ishte thjesht kontakt dhe jo faull”, u shpreh Zille.
Ajo reagoi edhe ndaj përdorimit të termit “ngacmim” në disa komente, duke e cilësuar të tepruar.
“Kam lexuar komente që përmendin fjalën ‘ngacmim’. Më duket e ekzagjeruar, madje ndoshta e pasaktë, sepse ngacmimi është një çështje serioze. Si grua, e ndiej fort këtë temë, por pikërisht për këtë arsye duhet të kemi qartësi dhe të ruajmë ekuilibrin”, përfundoi gazetarja. /Telegrafi/