Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” SH.A. ka njoftuar se, në bashkëpunim me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatën, ka arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin e shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës.
Sipas njoftimit, marrëveshja është arritur pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm mes menaxhmentit dhe përfaqësuesve sindikalë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit operacional dhe ofrimit të pandërprerë të shërbimeve për qytetarët.
Lidhur me kërkesat e punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, Trafiku Urban ka theksuar se mbetet i përkushtuar që, në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve. Përfaqësuesit e sindikatës dhe menaxhmenti janë pajtuar që diskutimet e detajuara për këto kërkesa të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se dialogu social do të vazhdojë dhe se menaxhmenti mbetet i hapur për bashkëpunim me sindikatën dhe organet kompetente, me qëllim adresimin e drejtë dhe transparent të çështjeve që lidhen me të drejtat e punëtorëve dhe stabilitetin afatgjatë të ndërmarrjes.
Po ashtu, Trafiku Urban ka konfirmuar se kërkesat e paraqitura do të mbeten në shqyrtim aktiv dhe se, me përmirësimin e gjendjes financiare dhe sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm, ato do të trajtohen me prioritet në bashkëpunim me sindikatën dhe institucionet përkatëse.
Në fund, ndërmarrja ka falënderuar punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin, si dhe qytetarët e Prishtinës për mirëkuptimin dhe besimin e vazhdueshëm. /Telegrafi/