Gjyqtari i Dhomave të Specializuara në Hagë, Christoph Barthe, u pa i përgjumur gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare të mbrojtjes së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.
Ndërkohë, në seancën e Gjykatës Speciale, avokati mbrojtës i Veselit, Rodney Dixon, ka deklaruar se Prokuroria Speciale nuk ka sjellë asnjë provë që mbështet pretendimin për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” ndaj klientit të tij.
Ai ka kritikuar përdorimin nga ana e Prokurorisë të një interviste të Veselit nga viti 2011, duke e cilësuar tështrembëruar dhe të papërshtatshme si provë.
“ZPS nuk ka asnjë provë për të mbështetur ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’ që pretendojnë kundër klientit tim. Dhe në paragrafin katër të dosjes kanë një parashtrim befasues, ku thonë atë çka ka thënë klienti im në një intervistë më 9 shkurt 2011”, ka thënë Dixon, duke shtuar se intervista ishte dhënë shumë vite pas luftës dhe nuk ishte nën betim.
Sipas tij, Prokuroria ka keqinterpretuar deklarimet e Veselit lidhur me strukturat e UÇK-së dhe fazat e hershme të konfliktit, duke i përdorur ato për të ndërtuar një “teori konspirative” pa prova konkrete.
“ZPS është duke rënë gjithnjë e më shumë dhe po arrin fundin kur përpiqen të tregojnë se këto janë prova se si Veseli ka kontribuar për ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’”, ka deklaruar avokati mbrojtës.
Dixon ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Prokurorisë se Shërbimi Informativ i Kosovës ka qenë funksional që nga prilli i vitit 1999 dhe se Veseli ka qenë në krye të tij. Ai ka theksuar se ZPS nuk ka sjellë asnjë provë që vërteton funksionimin e SHIK-ut gjatë asaj periudhe.
“Ta thuash se kjo është provë që Veseli ka drejtuar aparatin e tërë për identifikimin e bashkëpunëtorëve gjatë luftës, kjo është absurde”, ka theksuar Dixon, duke shtuar se Prokuroria ka bazuar pretendimet e saj kryesisht në intervista publike, pa prova dokumentare apo faktike. /Telegrafi/