I dyshuari për tentim grabitjen e një banke në Shqipëri është shoqëruar në komisariat, pasi u kap në flagrancë.
Euronews.al ka bërë të ditur se i dyshuari është 58-vjeçari B.F.
Sipas informacioneve, B.F u fut në ambientet e bankës me një armë automatike kallashnikov.
Brenda çantës ku mbante armën, ai futi edhe disa para që arriti të merrte nga arka e bankës.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ishin dy efektivë të patrullës “Shqiponja” që e neutralizuan para se të largohej.
Policia e Tiranës doli me një deklaratë zyrtare, ku sqaroi rrethanat e tentativës për grabitje në një bankë në Rrugën e Kavajës.
Sipas njoftimit, rreth orës 11:15, shtetasi B.F, 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e bankës me qëllim vjedhjen. Gjatë qëndrimit brenda, ai ka qëlluar me armë zjarri në dysheme, duke shkaktuar panik te punonjësit dhe klientët.
Nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar teksa tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes. 58-vjeçari u shoqërua në Komisariat, ndërsa arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia njofton se, pas përfundimit të veprimeve hetimore, do të japë informacion më të plotë për rastin. /euronews.al/