Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, po qëndron në kryeqytetin evropian Bruksel, disa orë para shortit të Ligës së Kombeve, i cili do të hidhet në orën 18:00 dhe ku Kosova do të mësojë kundërshtarët e saj.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ademi zhvilloi takime me dy figurat më të rëndësishme të futbollit botëror: presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin.
Ai mori edhe urime për rizgjedhjen e tij në krye të FFK-së për mandatin 2026–2030.
Takimi me Gianni Infantinon
“Gjatë qëndrimit tim në Bruksel, takova presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Në një bisedë miqësore dhe konstruktive, presidenti Infantino më përgëzoi për mandatin e ri, duke shprehur mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në funksion të zhvillimit të futbollit në Kosovë”.
“Është gjithmonë inkurajuese të kesh partnerë me vizion të përbashkët, të cilët besojnë në projekte konkrete dhe në fuqinë që ka futbolli për të bashkuar njerëzit. Mbështetja e FIFA-s ka qenë dhe mbetet thelbësore për avancimin e infrastrukturës, programeve zhvillimore dhe rritjen e standardeve në futbollin tonë”.
“Mbështetja unanime në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së është një dëshmi e unitetit brenda komunitetit tonë të futbollit, një unitet ky që përkon edhe me moton e FIFA-s: “Football Unites the World”. Ky besim na obligon të punojmë edhe më shumë për ta ngritur futbollin kosovar në nivele edhe më të larta”.
“Falënderoj presidentin Infantino për përkrahjen dhe respektin ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Republikës së Kosovës. Vazhdojmë bashkë, me përgjegjësi e krenari”, ka shkruar Ademi.
Takimi me Aleksandër Ceferin
“Kënaqësi e veçantë të ritakohesha në Bruksel me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin, në prag të Kongresit të 50-të të UEFA-s dhe tërheqjes së shortit për edicionin e ri të Ligës së Kombeve”.
“Në një përshëndetje miqësore, pranova urimet e tij të përzemërta për mandatin e ri dhe për suksese të reja në drejtimin e futbollit të Kosovës”.
“E falënderova presidentin Ceferin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FFK-së dhe ndaj meje, si dhe vullnetin për të bashkëpunuar ngushtë në projektet e radhës. Mirënjohës për besimin dhe vizionin e përbashkët për zhvillimin e futbollit”, ka shkruar Ademi.
Ky qëndrim dhe takimet me liderët e FIFA-s dhe UEFA-s tregojnë angazhimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të avancuar futbollin dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare para edicionit të ri të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/